Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani ka folur sot për disa çështje me rëndësi, që kanë tronditur opinionin publik, mes tyre edhe skandalin McGonigal. Ndalur te kjo çështje, Dumani theksoi se i përket çdo prokurori nëse do apo jo të ndaj infromacion. Sipas Dumanit, prokuroria nuk do të jap ansjë njoftim kur heton persona.
“Nuk do merrni ju dhe askush përgjigje, prokuroria nuk jep njoftimi kur heton njerëz. Nuk ka procedim zyrtar asnjëherë. E quajmë të tejkaluar këtë temë. Është çështje e prokurorit dhe mund të vendos të mos e ndajë me askënd”, tha ai.
Duke u ndalur te inceneratorët, Dumani tha se po kryehen veprime hetimore me intensitet shumë të lartë. Sipas tij, sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës nuk mund të bëhet, pasi aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real, në mënyrë që nesër kompania mos të godasë vendimet e marra në Arbitrazh.
“I takon prokurorit të çështjes. E para ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të lartë. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real se nesër, pasnesër të çon në Arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit”, shtoi Dumani.
Për sa i përket rastit të Stela Gugalljas, Dumani tha se në dijeninë e SPAK ka nisur një proces ekstradimi nga Austria drejt Shqipërisë.
I pyetur lidhur me çështjen e Ervis Martinajt dhe nëse ka lidhje mes këtij të fundit dhe ngjarjes së rëndë në ‘Don Bosko’ pak kohë më parë, Dumani u shpreh se SPAK ka pistat e veta rreth kësaj çështjeje dhe po heton.