Një nga të shumëkërkuarit e Policisë Shqiptare, është arrestuar në qytetin e Janinës në Greqi, të martën. Në pranga ka rënë Laert Haxhiu, 32-vjeçari i cili është i dënuar në vendin tonë me 18 vjet burgim. 32-vjeçari nga Lushnja u kap në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar me identitetin Mikis Askalidis32 vjeç lindur në Gjeorgji.
Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se arrestimi i Laert Haxhiut është bërë me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Haxhiu po gjykohet në mungesë për masakrën e Lushnjës, për të cilën janë dënuar më herët me burgim të perjetshëm Oges Bilbili dhe Anterio Kaloshi.
Orgest Bilbili, Laert Haxhiu e Anterio Kaloshi akuzohen nga SPAK për vrasjen e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit si dhe tentativën e vrasjes së Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2017.