Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se për ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të depërtimit të masave ajrore të lagështa me origjinë veriperëndimore.
Moti parashikohet në orët e para të 24 orëshit i vranët e me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave. Më pas parashikohet mot me alternime kthjellimesh e vranësirash deri të dendura. Në momentin e vranësirave të dendura, parashikohen reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra në zonën e qendrës dhe kryesisht zonën e jugut.
Parashikohet mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut kryesisht në orët e mëngjesit.
Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-8 m/s ndërsa në bregdet dhe lugina era bëhet relativisht intensive dhe shpejtësi 12-16 m/s duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-3 ballë.