Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar qytetarët që të mblidhen sërish para Kuvendit të hënën e 13 shkurtit në orën 17:00.
Një gjë të tillë kryedemokrati e zyrtarizoi në përmbyllje të protestës së djeshme.
“Revolucioni na fton!”, shkruan ish-kryeministri në Facebook.
Në faqen zyrtare të Kuvendit vërehet se në punimet e seancës së 13 shkurtit parashikohet miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar.
Ndërkaq do të ketë edhe diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.
“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit. Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare”, do të shprehej ish-kryeministri të shtunën.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, se nuk mund ta përjashtojë “këtë popull nga vota dhe zgjedhjet”.
“Jo Surreli, po as Biza dhe Martaneshi nuk i pengon këta që të të gjejnë deri në vrimën e miut dhe të japin atë që meriton. Së fundmi, edhe njëherë, një mirënjohje të pakufishme për ju në këtë shesh. Ju ftoj të vazhdojmë marshin e lirisë, të vazhdojmë marshin e fitores!”, ravijëzoi në përmbyllje Berisha.