Reshjet e dëborës që përfshinë vendin ditën e djeshme, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në veri, në qarkun e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Lezhës.
Pjesa më e madhe e qarkut të Dibrës vijon të jetë pa energji elektrike që prej pasdites së djeshme si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës që mësohet se kanë shkaktuar dëmtimin e disa shtyllave të rrjetit elektrik.
Këtë mëngjes është rihapur për qarkullim por me shumë vështirësi aksi i rrugës së Arbrit, bypass-Qafë Murrizë ku ditën e djeshme u bllokuan rreth 300 automjete për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Mbrëmjen e djeshme, policia e Dibrës u erdhi në ndihmë drejtuesve të bllokuar në automjetet e tyre në bypassin e Qafë Murrizit, duke i evakuuar një pjesë të tyre derisa u bë zhbllokimi i rrugës.
Gjithashtu dhe akset rrugore Peshkopi-Maqellarë- Bulqizë; Bulqizë – Ura Vashës-Klos; Klos-Burrel-Ulëz, janë të hapura.