Rëndohet bilanci i viktimave nga shpërthimi i minierës në provincën veriore Bartin të Turqisë që ndodhi mesditën e kësaj të premteje. Ka qenë ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca i cili ka njoftuar në Twitter-in e tij se deri më tani raportohet për 40 të vdekur.
”Numri i të vdekurve nga shpërthimi në Bartin ka arritur në 40. Po bëhet gjithçka e nevojshme për 11 pacientët tanë, ku 6 janë në gjendje të rëndë”, ka shkruar ministri Koca.
Sipas mediave turke, ekipet e shpëtimit po punojnë për të gjetur dhjetëra punëtorët të cilët rezultojnë të zhdukur. Në minierë ndodheshin 110 punëtorë në momentin kur ndodhi shpërthimi.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të udhëtojë ditën e sotme në Amasra për të monitoruar nga afër situatën. Ai ka bërë thirrje që ekipet e kërkim-shpëtimit të punojnë me shpejtësi.