15,925 shqiptarë kanë kërkuar azil në Britani gjatë vitit 2022, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend. Të dhënat u publikuan nga Zyra e Statistikave të Emigracionit.
Më krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit. Më shqetësuese është përbërja e azilantëve sipas grupmoshave, ku dukshëm janë moshat e reja ato që duan të ikin nga vendi me çfarëdolloj mënyre.
Sipas të dhënave të Eurostat në krahasim me një vit më parë, aplikimet për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian u rritën me 16%. Së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, numri total i aplikimeve në Europë arriti në 30 mijë, niveli më i lartë që nga 2006-a.
Rekordi i aplikimeve vijon të mbetet viti 2015, me rreth 69 mijë shtetas që kërkuan azil në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa 2022-i është viti i tretë më i lartë, pas fluksit të 2015-2016.