Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama “komunikoi vendimin e tij, me një synim: likuidimin e opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri”.
Më herët, Gjykata e Apelit pranoi ankimin e grupimit të Enkelejd Alibeajt, duke i kaluar legjitimitetin e partisë.
“Tre gjykatës me një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”, u shpreh ish-kryeministri.
Ai theksoi se ka besim që demokratët janë të vendosur të mbrojnë me çdo kusht e çmim pluralizmin politik në vend.
“Vazhdimi i skenarit të filluar me tradhtarin e kombit amerikan McGonigal, sot konkludoi me një vendim të pashembullt në historinë e botës. Dua të informoj se në procesin gjyqësor, ata të cilët kishin kërkuar zyrtarisht të shpalleshin palë i thanë gjykatës se nuk kemi qenë palë në proces, por gjykatësit lexuan vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës”.
Ndërsa, përfaqësuesi demokrat Enkelejd Alibeaj deklaroi se vendimi i gjykatës vjen “si një ogur i mirë për demokratët”, të cilët sipas tij, prej më shumë se 1 viti po kalojnë një periudhë të vështirë.
“Kjo është dita kur të gjithë ne, demokratët duhet të jemi më të bashkuar se kurrë për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës dhe të lëmë mënjanë grindjet dhe mosmarrëveshjet mes nesh të shkaktuara nga mentaliteti i vjetruar i politikës shqiptare”, theksoi fillimisht Alibeaj.
Ai ftoi të gjithë demokratët që të lenë mënjanë pakënaqësitë dhe të jenë bashkë në zgjedhjet vendore të 14 majit.
“Me kandidatët më të mirë që nuk vendosin interesin personal të askujt mbi interesin e demokratëve. Nuk është ditë triumfi për askënd. Është ditë reflektimi i thellë, për ato që kemi kaluar dhe për të përballuar të ardhmen, që nuk është e thjeshtë, por as e pamundur. Për t’u dhënë shqiptarëve ditë më të mira”, përmbyll reagimin e tij Alibeaj.