Parlamenti do të zhvillojë sot mocion me debat sa i përket çështjes McGonigal. Kryeministri Edi Rama do t’i përgjigjet akuzave dhe pyetjeve të opozitës pas thuajse një muaji nga publikimi i çështjes. Grupi parlamentar i PS-së do të ketë 750 minuta në dispozicion, 350 minuta do jenë për PD, 70 minuta për grupin parlamentar ‘Aleanca për ndryshim’, 80 minuta për ‘Drejtësi dhe Integrim’, 30 minuta për Partinë e Lirisë dhe e njëjta kohë do të jetë në dispozicion për deputetët e PSD.
Ndërsa 9 deputetë të Rithemelimit do të kenë 10 minuta kohë për të folur. Në seance sot rikthehet kreu i PD-së, Sali Berisha ndërsa do të mungojnë 4 deputetët Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti dhe Oerd Bylykbashi pasi u përjashtuan në seancën e 16 shkurtit. Opozita ka deklaruar se do të zbulojë në seancë akuza të reja ndaj kreut të qeverisë sa i përket hetimeve ndërsa socialistët kanë paralajmëruar se do të nxjerrin në pah të vërteta të mëdha.