Kryeministri Edi Rama ka folur për sigurinë e rendit në vend, teksa i është përgjigjur akuzave të opozitës.
Gjatë një takimi me qytetarët në Ersekë, ai tha mbrëmjen e sotme se Shqipëria sot ka numrin më të ulët të vrasjeve në 32 vitet e fundit.
Rama deklaroi se mesatarja e vrasjeve nën qeverisjen e tij është sa gjysma e vrasjeve nën qeverisjen e Sali Berishës.
“Shqipëria ka vrasje, por ka numrin më të ulët të vrasjeve në 32 vjet dhe në këto vite, mesatarja e vrasjeve është sa gjysma e vrasjeve të viteve të fundit përpara se sa ne të merrnim detyrën. Unë e kuptoj që e keqja harrohet shpejt. Ne i kemi rritur mundësitë, e kemi rritur ekonominë. I kemi rritur dhe pagat. Edhe të tjerët rriten dhe nuk rrijnë në vend. Kemi bërë gabime, por të krahasosh Shqipërinë sot me atë të disa viteve, dhe të thuash se situata është shumë herë më keq, atëherë do të thotë ose të jesh totalisht i verbuar nga urrejtja ose të jesh i padëshiruar për të kuptuiar të vërtetën. S’ka asnjë krahasim me dje”, theksoi kreu i qeverisë.