Nga Forumi Botëror Ekonomik i Davosit, kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu pakënaqësinë ndaj Bashkimi Evropian lidhur me procesin e integrimit.
“Nga Shqipëria dhe rajoni ka pasur shumë lajme të mira, por nuk kanë qenë të dukshme për Parlamentin Europian. Ne na u kërkua dhe morëm mbështetje për të bërë këtë pastrim të gjykatësve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë. Ne i hymë kësaj me besim të plotë dhe krenari se po bënim diçka që ‘Zotat’ tanë europianë na e kërkonin dhe dëshironin. Dhe mendoje, pastrimi ishte aq radikal sa mbetëm pa Gjykatë Kushtetuese”, u shpreh fillimisht Rama.
Sipas tij, 9 nga 11 gjykatës u larguan se nuk justifikuan dot pasurinë.
“Ne menduam se Bashkimit Europian do t’i pëlqente kjo gjë, por ata thanë ‘mirë, por nuk keni Gjykatë Kushtetuese’. Ne operuam pacientin me sukses, e kuruam, por BE e kërkonte që të vraponte sepse kishte zgjedhje. Dhe përpara se të bënin këto zgjedhje nuk mund të na jepnin dritën jeshile”, vijoi ai.
Për Ramën, procesi i integrimit ka ndryshuar plotësisht, është bërë “neurotik dhe i padrejtë”.
“Por nëse do të bënin të njëjtën gjë si po na e bëjnë ne, shumë vende të BE nuk do të ishin të afta të hynin vetë. Dhe nuk po flas për vende komuniste, por dhe nga themeluesit. Më besoni. Ky është realiteti”, tha mes të tjerash kryeministri.
Megjithatë, pavarësisht kritikave, Rama deklaroi se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në qendër të Evropës dhe nuk kanë ndërmend të shkojnë tjetërkund.
Në fund, ai shtoi se duke qenë se vendi po përballet me një krizë ekonomike, BE-ja duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor edhe pse nuk janë në BE.