Kryeministri Edi Rama ka publikuar ditën e sotme projektin e ‘Urës mbi Bunë’, marrëveshja për zbatimin e të cilit u firmos dje gjatë mbledhjes së përbashkët me qeverinë malazeze. Sipas kryeministrit, ky projekt është përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit por do të bashkëfinancohet nga qeveritë e Malit të Zi dhe Shqipërisë. Me ndërtimin e kësaj ure, shkurtohet distanca mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 kilometra në 300 metra.
“Mirëmëngjes dhe me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur”-shkruan Rama në Facebook.