Kryeministri Edi Rama ka vijuar në vazhdën e premtimeve për rritje të pagave, duke deklaruar se brenda këtij viti ato do të rriten me anë të 2 hapave. Kreu i qeverisë sqaroi se një gjë e tillë nuk vjen si rrjedhojë e faktit se jemi në një periudhë elektorale, para zgjedhjeve vendore, por sipas tij, mundësia për të marrë këtë vendim ka ardhur tani.
“Mundësia për ta bërë të mundur është krijuar vetëm tani. E dini mirë se sa shumë vështirësi na është dashur të kapërcejmë dhe për t’ju thënë që është koha të bëjmë rritje rrogash shumë domethënëse. Rritja e pagave do bëhet me 2 hapa në harkun e 1 viti. Një rritje tani dhe një rritje në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kini parasysh që për zonjat këtu u desh kohë e gjatë që të arrihet pagë dinjitoze, për më të rinjtë po punuat sa gjysma e tyre do merrni më shumë se dihet që në fund të ditës për ju të rinjtë po punojmë. Ky ishte breaking news për sot, tani me vrap te puna. Me vrap thashë jo me hap”, tha Rama.
Kujtojmë që qeveria ka premtuar se do e bëjë rrogën minimale 45 mijë lekë, e ndërsa pagën mesatare në 900 euro, siç e kanë edhe vendet e rajonit.