Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nga rritja e pagës do të përfitojnë edhe mësuesit. Në një takim me ta, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, Rama u prezantoi ndryshimet që do të pësojë paga e mësuesve të fillores, por edhe të gjimnazeve. Kjo rritje do të hyjë në fuqi që nga prilli i 2024.
“Në hapin tjetër që do të thotë vitin e ardhshëm, paga juaj do të kapërcejë në një tjetër nivel. Pra nëse sot që flasim rritja mujore do të jetë mes 3500 për mësuesit e shkollës 9-vjeçare, 3843 për të mesme dhe deri në 5800 për drejtuesit që të bërtasin më shumë, tek rritja e përgjithshme, mësuesit në shkollën 9-vjeçare do të kenë një pagë 95.550. Mësuesit në shkollën e mesme do e kenë 106 800 lekë. Këto janë bazat, pastaj ka sipas vjetërsisë e kualifikimeve që variojnë por ky është niveli i pagës së mësuesve”, tha Rama.
Ai shtoi se kjo do të bëhet pa rritur borxhin publik.
“Jemi në një fazë të re, e rëndësishme është që të rrisim pagat aq ndjeshëm, por do të ulim borxhin publik, pra nuk është një rritje që merret me borxh dhe të jeni të bindur që kjo rritje pagash do sjellë më shumë motivim dhe përkushtim për punën e të gjithëve. Dhe privati do duhet të rishikojë punën e tij. Plani do paraqitet publikisht dhe sipas kategorive do të bëhet në këto faza dhe i gjithë do bëhet nga prilli në prill”, tha Rama.