Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fushatën në Shkodër, një Bashki që e synon në 14 maj. Ai i ka kthyer përgjigje kryebashkiakut Bardh Spahisë, duke thënë se këtij qyteti nuk i kanë munguar kurrë fondet, ndryshe nga sa pretendon opozita.
Rama tha se Zoti dhe natyra i kanë dhënë këtij vendi gjithë të mirat, por sipas tij qytetarët kanë gabuar me votën e tyre, duke ia dhënë një partie që sipas tij nuk ka bërë asgjë.
“Ne Shkodrës nuk ia kemi kursyer fondet asnjëherë, se rrugën Shkodër-Velipojë, nuk e bëri Beneti me Zotin Berisha siç i thotë, por e bëmë ne, është një investim strategjik. Ai kanë marrë lekët e shpronësimit njerëzit? Se dhe këto lekë ia dha qeveria Bashkisë Shkodër. Ai e ka pasur shumë të thjeshtë detyrën se ka pasur njerëz plot që ia kanë marrë sapunin që e kanë ngrënë për djath parmixhan. Shkodra i ka dhënë mbështetje të verbër atij që Beneti i thotë Zoti Berisha. Shkodra dhe pse ka nga Zoti apo nga natyra më shumë se të tjerët, ka sot më pak se gjithë të tjerët. Askujt tjetër Zoti nuk i ka dhënë atë që i ka dhënë Shkodrës”, tha Rama.