Ambasadorja Yuri Kim dha deklaratën e lamtumirës disa ditë më parë, në mbyllje të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.
Në një postim në Facebook, kryeministri Rama i ka dhënë lamtumirën Kim-it me disa rreshta të gjatë. Për ambasadoren në largim, Rama ndan disa detaje nga qëndrimi i saj në Shqipëri duke theksuar edhe pozitën e saj sa i përket përfshirjes në mënyrë direkte ose jo me qeverinë, ku jo rrallë herë Kim shfaqej krah Ramës. Si fund të rrugëtimit, kryeministri ka zgjedhur ta vlerësojë me Yllin Madh të Mirënjohjes Publike.
“Ajo qëndroi njësoj sa të gjithë ambasadorët e tjerë, po qëndrimi i saj zgjati më shumë se sa i të tërë të tjerëve bashkë. Sepse ndryshe nga gjithë të tjerët, ajo nuk ndenji një ditë pa u shfaqur, sa ekran më ekran, e vrenjtur edhe kur buzëqeshte, sa në instagram, e qeshur edhe kur pejzazhet nga Shqipëria ishin të vranëta, e sa përmes cicërrimave, ku ëmbëlsisht serioze e ku seriozisht të hidhura, nga frëngjia e Tëitterit; sa në rrugët e jetës politike në Tiranë, ku me dylbi e me pushkë në stërvitjet ushtarake, ku me shpatë në brez në mbledhjet e organeve të drejtësisë, ku me lot në sy për viktimat e Armikut të Padukshëm, ku me helm në gjuhë për armiqtë e Reformës në Drejtësi, e ku me llokume e raki për komisionin multipartizan të reformës zgjedhore; herë si kalorëse e të gjithëpushtetshmit, herë si hije e pushtetit dhe herë si bebisiter e kundërshtarëve të pushtetit, edhe falenderuese për miqësinë mes popujve, edhe inkurajuese për arritjet e popullit, edhe kërcënuese për të zgjedhurit nga populli, nganjëherë e bezdisur prej akuzave se po mbështet qeverinë, ndonjëherë e nervozuar prej pretendimeve se po mbështet opozitën, shpeshherë e gëzuar për pakënaqësinë e të gjitha palëve, po asnjëherë në një vend; sa në majat e maleve e në brigjet e deteve, për të dhënë mesazhe të mirëkuptuara, sa në mes të burrave me kostum për të nënkuptuar se kostumi s’të bën medoemos burrë, sa në këmbë mes fëmijëve në Tropojë për të nënvizuar se Amerika s’të njeh për burrë, e sa ulur mes plakave në Dhërmi, për të nëntreguar se asnjë burrë nuk është i domosdoshëm…
Kështu që në fund të misionit të saj, nuk më mbeti tjetër veçse t’i dorëzoj ambasadores Yuri Kim, Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike, për sa shumë e deshi Shqipërinë, sa shumë u përpoq për të ndihmuar që Shqipëria në ikje të saj, të bëhej një vend më i mirë se sa ai që ishte kur ajo erdhi dhe mbi të gjitha, për bindjen time se kjo lloj Amerike, me duart e futura në organizmin e jetës sonë institucionale, ka qenë tërë këto vite të ngjitjes së mundimshme nga honi i zi i ferrit komunist në të përpjetën drejt dritës së demokracisë, një e keqe aq e domosdoshme, sa vetë forca që i ka dhënë Shqipërisë e kombit shqiptar në çdo drejtim, e padyshim edhe sa fuqia që i ka dhënë drejtësisë në Shqipëri për të luftuar, më në fund, me të këqijat që deri dje ngjanin të përjetshme dhe pa Amerikën në krah do të mbeteshin përjetë të tilla”, shkruan Rama.