Infrastruktura digjitale po bëhet po aq e rëndësishme dhe jetike sa infrastruktura fizike, rrugët, uji dhe energjia. Tashmë kur shumica e shërbimeve qeveritare jepen online dhe mund të merren nga smartphone, qeveria në anën tjetër po rrit shpenzimet për këto shërbime.
Vitin që vjen, buxheti i shtetit do të akordojë për funksionimin e e-Albania 8,9 miliardë lekë, ose 85 milionë euro, teksa në vitin 2018, shpenzimet për shërbimet online ishin vetëm 2,3 miliardë lekë, ose 20 milionë euro.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga viti 2016 deri në vitin 2024 janë financuar më shumë se 42 miliardë lekë, rreth 400 milionë euro për sistemet e-Albania.
Financimet vjetore në infrastrukturën e-Albania renditen të katërtat në radhë pas investimeve publike në transportin rrugor, detar dhe në ujësjellës.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) referon se aktualisht janë 1233 shërbime publike për qytetarët dhe biznesin që ofrohen online dhe përbëjnë 95% të shërbimeve publike.
Pjesa e mbetur u përket shërbimeve që kërkojnë patjetër prani fizike të qytetarëve, siç është lidhja e martesës në Gjendjen Civile, kontrolli fizik i automjeteve apo vendosja e shenjave të gishtërinjve për aplikimet për dokumentet biometrike, pasaportë dhe ID.
Janë rreth 3 milionë përdorues të regjistruar në portalin e-Albania, ndërkohë që janë mesatarisht mbi 1.7 milionë aplikime dhe afro 1 milion dokumente që gjenerohen me vulë elektronike çdo muaj.
AKSHI llogarit se janë 60 regjistra elektronikë që ndërveprojnë në kohë reale për çdo aplikim unik, për shqiptarët dhe bizneset kurdo dhe kudo.
Shteti shqiptar u ka kursyer qytetarëve dhe bizneseve 1010 vite pritje në radhë dhe mbi 12 milionë euro të kursyera prej dokumenteve nga letër në të ofruarit e tyre online.
Teksa infrastruktura digjitale evoluon, popullata e vendit ka mungesë njohurish për përdorimin e shërbimeve online. Shpesh kjo mungesë njohurish përkthehet në kosto të fshehur, pasi qytetaret për të aksesuar shërbimet online, paguajnë persona të tretë ose zyra noteriale për të marrë shërbimet.
Një anketë e PNUD (programit të Kombeve të Bashkuara tregoi se, në vitin 2022, mbi 90% e të pyeturve raportuan se ishin në dijeni që qeveria ofron shërbime elektronike nëpërmjet portalit e-Albania. Megjithatë, më pak se gjysma tyre, rreth 47%, raportuan se mund ta përdoronin e-Albania pa ndihmën e të tjerëve./ Monitor