Heqja e përjashtimeve fiskale në sektorin e bujqësisë vitin e kaluar çoi në buxhetin e shtetit rreh 1, 7 miliardë (16 mln euro të ardhura shtesë). Sipas të dhënave nga Ministria e Financave 0,9 miliardë lekë u arkëtuan nga eliminimi i skemës së kompensimit të prodhuesit bujqësor nga 6 % në 0%, ndërsa 0,8 miliardë lekë u arkëtuan nga rikthimi i TVSh në inputet bujqësore.
Në paketën fiskale të vitit 2022 parlamenti miratoi vendosjen e TVSH-së prej 10% në inputet bujqësore të cilat më parë ishin te përjashtuara tërësisht nga TVSH në vitin 2019. Gjithashtu u vendos të hiqej kreditimi i TVSh-se ndaj fermerëve, duke u bërë zero, nga 6% që ishte.
Të dhënat tregojnë se vetëm nga këto dy ndryshime qeveria ka siguruar të ardhura shtesë prej fermerëve nga heqja e përjashtimeve, sa gjysma e fondeve që janë dhënë këtë vit për bujqësinë nga skema kombëtare.
Qeveria këtë vit ka dhënë 3,3 miliardë lekë subvencione, ku gati 51 për qind janë gjeneruar nga barra e re fiskale ndaj sektorit bujqësor.
Shuma prej 30 milionë eurosh që do të ndahet këtë vit në mes blegtorëve, bletarëve, fermerëve të serave dhe atyre që ndërtojnë sera organike.
Këtë vit aplikimet për subvencione sidomos në skemën e blegtorisë kanë qenë më të larta, teksa AZHBR po aplikon pagesa më këste pasi aplikimet janë më të larta se fondet në dispozicion.
Në 2022 mbështetja nëpërmjet skemës kombëtare të bujqësisë arriti në vlerën e 4,9 miliardë lekëve për 5 masa. Fillimisht fondi i miratuar ishte 3,7 miliardë lekë, duke iu shtuar edhe 1,2 miliardë lekë në mesin e vitit për zbatimin e masës së re për dhënien e subvencioneve direkte në vlerën e 30 mijë lekëve për ha të atyre fermerëve që kultivonin grurë në hapësira mbi 1 ha.
Sektori bujqësor në vendin tonë vuan nga mungesa e mbështetjes financiare. Shqipëria ofron mbështetjen më të ulët në Rajon për fermerët, teksa shërbimet e tjera financiare në bujqësi janë tërësisht të pazhvilluara.
Përveçse me në shuma të vogla, procesi i shpërndarjes së subvencioneve shpesh është i padrejtë dhe nuk shkon aty ku duhet. Një hetim nga Zyra kundër mashtrimit në BE (OLAF) zbuloi abuzime me fondet e BE për bujqësinë nga programi IPARD duke marrë masa për pezullimin e shpenzimeve të radhës. https://www.monitor.al/ministria-e-bujqesise-ka-pezullime-te-fatures-aktuale-te-rimbursimit-per-nje-pjese-te-shpenzimeve-te-radhes/
Sektori i bujqësisë është më i madhi në ekonominë e vendit duke kontribuar në 20% të PBB dhe në rreth 40 për qind të punësimit, por ka mbështetjen me të ulët me fonde publike ne krahasim me sektorët e tjerë./ Monitor