Autostrada Tiranë-Durrës do të bëhet me pagesë. Kjo nuk është hera e parë që flitet se ky segment do të bëhet pjesë e rrugëve me pagesë por qeveria e ka pranuar këtë zyrtarisht në një dokument që mban datën 13 dhjetor 2023.
Konkretisht bëhet fjalë për një dokument të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe që lidhet me projektin e urave në vend që po mbështetet nga Banka Botërore dhe në një pjesë të veçantë të këtij dokumenti nënvizohet edhe një paragraf për autostradën Tiranë-Durrës.
Në termat e referencës së procedurës vlerësimi i dizajnit (projektit) dhe mbikëqyrja e punimeve për Urën e Beshirit që ndodhet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa nënvizohet se ky aks do të përmirësohet si një mundësi alternative kundrejt autostradës që do të jetë me pagesë.
“Në aspektin gjeografik, pjesa rrugore Tiranë – Ndroq – Plepa, ndodhet në pjesën e Ultësirës Perëndimore të Shqipërisë, në rrethin e Tiranës dhe Durrësit. Duke ndjekur zhvillimet në autostradën e shpejtë Tiranë-Durrës rrugë përdoret herë pas here kur ka bllokime në autostradë ose kur përdoruesit e rrugës kanë nevojë për një pamje panoramike të shoqëruar me shumë pika agroturizmi përgjatë rrugës.
Autostrada Tiranë-Durrës është korridori kryesor ekonomik i vendit që lidh kryeqytetin me portin kryesor, Durrësin dhe nga veriu në jug. Rreth 40 për qind e popullsisë së vendit jeton në këtë segment. Përmirësimi i planifikuar i autostradës aktuale ndërmjet Tiranës dhe Durrësit do të përfshijnë një sistem pagese, ndaj duhet të ofrohet një rrugë alternative . Për këtë qëllim rruga që lidh dy qytetet përmes Ndroqit dhe Plepave duhet të zgjerohet” thuhet në dokumentin e ARRSH.
I njëjti argumenton se ndërtimi i Korridorit Adriatiko-Jonian përfshin një autostradë të re nga Vora për në Ndroq, dhe do të tërheqë trafik të konsiderueshëm që vjen nga Veriu i Shqipërisë dhe nga Tirana. Në situatën aktuale, këto udhëtime duhen bërë përmes Durrësit, por kjo autostradë e re do të duhet të plotësohet me një përmirësim të segmentit Tiranë-Ndroq për shkak të flukseve Tiranë-Rrogozhinë që do të përdorin më pas atë segment.
“Rruga SH56, Tiranë – Ndroq – Plepa, përfaqëson një rrugë të rëndësishme me potencial të lartë ngarkese trafiku. Rruga lidh Tiranën me bregdetin e Adriatikut dhe funksionimi i dobët i saj zvogëlon ngarkesën e trafikut dhe bën që autostrada SH2 të ketë një ngarkesë të shtuar të trafikut. Rëndësia e kësaj rruge lidhet edhe me faktin që ajo mund të shërbejë si rrugë rezerve në rast se SH2 pëson ndonjë dëmtim. Rruga ekzistuese dhe ajo e rikonstruktuar (SH2 dhe SH56) ndodhen në zonën me rrezikshmëri të lartë nga rreziqet natyrore, veçanërisht nga përmbytjet, me një vlerësim vjetor të dëmeve prej 13 milion Euro” thuhet në dokument.
Kështu duke ju referuar gjendjes aktuale të rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa thuhet ajo ka dëmtime të dëmtime të konsiderueshme, si në rrugë ashtu edhe në urat që janë pjesë e saj dhe ka nevojë për riparime urgjente.
“Është planifikuar rehabilitimi i rrugës SH56 dhe në pjesën më të madhe, duhet të bëhen riparime në seksionet ekzistuese rrugore. Megjithatë, në disa seksione nevojiten përmirësime të konsiderueshme në shtrirjen ekzistuese përgjatë gjurmës së rrugës për të përmbushur standardet rrugore të projektuara. Nga ana tjetër, kjo kërkon ndërhyrje në urat dhe tombino përgjatë segmentit rrugor të tilla si rehabilitimi, përmirësimi ose ndërtimi i një ure të re në një vend të ri” nënvizon ARRSH./ Monitor