Qendrat e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë hapur mëngjesin e sotëm në katër komuna në veri të Kosovës, të cilat po mbahen pas dorëheqjes së përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës.
Qytetarët zgjedhin kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, si dhe këshilltarët për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.
Pesë qendra të votimit janë hapur në komunën e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit, ndërsa katër qendra të votimit në komunën e Zubin Potokut, transmeton Anadolia.
Është hapur me kohë njëra nga qendrat e votimit afër stacionit të autobusëve, në rrugën “Ivo Lola Ribar” në veri të Mitrovicës, e cila ndodhet në një kontejner.
Kontejneri ruhet nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe monitorohet nga kamera. Zgjedhësit e parë me të drejtë vote kanë bërë detyrën e tyre qytetare për të votuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, në bazë të vlerësimit të autoriteteve të sigurisë, vendosi të hapë vetëm gjashtë nga 44 vendvotimet e zakonshme, kryesisht në vendbanimet ku jeton popullata shqiptare, si dhe 13 qendra alternative të votimit në kontejnerë.
KQZ vendosi gjithashtu uljen e numrit të qendrave të votimit nga 69 në 34, ndërsa numri i votuesve për qendër votimi u rrit nga 750 në 2000 votues. Të drejtë vote kanë mbi 45 mijë votues.
KQZ ka akredituar 357 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, mediat, organizatat joqeveritare dhe misionet e huaja të vendosura në Kosovë.
Për zgjedhjet për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan janë certifikuar gjithsej 11 kandidatë nga pesë subjekte politike, ndërsa mbi 60 kandidatë janë certifikuar për këshilltarë të dy kuvendeve komunale, Zveçanit dhe Leposaviq.
Partia e serbëve të Kosovës tri ditë para zgjedhjeve hoqi dorë nga kandidatura në komunën e Leposaviqit, për shkak të “mungesës së kushteve për mbajtjen e tyre”.
Me tërheqjen e Partisë së Serbëve të Kosovës, kandidatja e vetme nga komuniteti serb mbeti Sllagjana Pantoviq, si kandidate e pavarur për kryetare të Zveçanit.
Lista Serbe, e cila nuk po merr pjesë në këto zgjedhje, u bëri thirrje serbëve për bojkot të përgjithshëm, duke i cilësuar këto zgjedhje si jodemokratike.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi, nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje, për shkak se, siç ka thënë, kërkohet formimi i një komuniteti të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e njësive speciale policore nga veriu i Kosovës nuk janë përmbushur.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpallur pas daljes së të gjithë përfaqësuesve të Listës Serbe, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, nga institucionet në veri të Kosovës.
Pastaj serbët u larguan nga policia dhe gjyqësori. Shkak i largimit ka qenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e detyrueshëm të automjeteve nga targat e vjetra serbe (KM) në RKS.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhej të mbaheshin në dhjetor, por u shtynë për në prill për shkak të situatës së keqe të sigurisë, bllokadës së rrugëve nga serbët dhe sulmeve ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.