Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Shkodër ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të disa fëmijëve, Policia ka prangosur autorin e dyshuar të krimit. Agron Mahmuti u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë, ndërsa ngjarja ka si sfond konfliktin midis djalit të tij dhe 13-vjeçarit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë ndalimin e shtetasit A. M., 49 vjeç, banues në lagjen ‘Guerrile’, Shkodër, pasi ditën e djeshme, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, në drejtim të një shtetasi 13 vjeç, banues në lagjen ‘Perash’, Shkodër, i cili nuk ka marrë dëmtime. Është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se ka qëlluar shtetasi A. M”, bëri me dije Policia e Shkodrës.
Ngjarja ndodhi në afërsi të shkollës “28 Nëntori”, në qendër të qytetit të Shkodrës. Sipas burimeve, 49-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë, është afruar pranë vendit të quajtur “Lapidari” ku po rrinin fëmijët dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.
Fatmirësisht, fëmijët kanë pikasur personin dhe janë larguar me shpejtësi dhe për pasojë, asnjë nga plumbat nuk i ka prekur ata.
Disa nga plumbat kanë prekur fasadën e një lokali aty pranë, gjurmët e të cilëve ishin të dukshëm. Sipas burimeve ky person, ka goditur me qytën e pistoletës një nga fëmijët.
“Rreth orës 18:00 në lagjen ‘Qemal Stafa’, Shkodër, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku është dëmtuar vetrata e një lokali aty afër dhe më pas është larguar. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Nga veprimet paraprake hetimore të kryera nga grupi hetimor në vendngjarje është gjetur një gëzhojë”, tha Policia.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit.