Presidenti rus Vladimir Putin premtoi të mërkurën se do t’u japë forcave të tij të armatosura gjithçka që u nevojitet për të mbështetur fushatën e tyre ushtarake në Ukrainë, ku lufta po i afrohet fundit të muajit të saj të 10-të.
Në një fjalim para shefave të mbrojtjes në Moskë, Putin tha se nuk kishte kufizime financiare për atë që qeveria do të ofronte përsa i përket pajisjeve dhe armatimeve.
Ai tha se aleanca ushtarake e NATO-s po përdorte aftësitë e saj të plota kundër Rusisë dhe u kërkoi udhëheqësve ushtarakë të mbledhur të përdorin përvojën që kishin fituar duke luftuar në Siri dhe gjatë asaj që Moska e quan “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë.
Duke përshëndetur ushtarët rusë dhe shefat e mbrojtjes si “heronj”, ai tha se Rusia duhej të merrte një shënim të veçantë për rëndësinë e dronëve në konflikt.
Raketa balistike ndërkontinentale ruse Sarmat – e quajtur “Satani II” dhe e aftë për të kryer sulme bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara – do të jetë gati për vendosje në të ardhmen e afërt, shtoi ai.