Brezi i viteve 90 u turr për tu larguar nga Shqipëria, pavarësisht se rruga nuk ishte aspak e lehtë. Mirëpo shumë të rinj e morën iniciativën dhe nuk e kthyen kokën pas. Më shumë se 3 dekada kanë kaluar, por ky vend ndodhet përsëri në të njëjtën errësirë. Të gjithë duan të largohen.
Po pse shqiptarët ikin?
Përgjigjet janë të thjeshta. Shqiptarët ikin pasi janë të varfër. Ekonomia nuk matet premtime elektorale, por me atë se çfarë kanë në në xhep qytetarët. Të zhgënjyer nga premtimet boshe të politikanëve, për rritjen e punësimit, shëndetësi falas, arsim falas, gjë që ende nuk ka ndodhur.
Pakkush ose askush në Shqipëri i hyn politikës në ditët e sotme, kjo kuptohet nga fakti se asnjë frymë e re nuk duket në horizont. Ende qarkullojnë në vorbullën e politikës mbetjet e komunizmit. Politikanë të etur kanë zënë postet kyçe, abuzojnë me detyrën dhe që vjedhin fondet publike po e çojnë Shqipërinë drejt falimentimit. Ata grabitën legalizuan kulturën e mosndëshkimit dhe kriminalizuan shoqërinë, duke e çuar në kufijtë e degradimit.
Lind natyrshëm pyetja: A iu rrezikohet ekzistenca shqiptarëve sot? Sigurisht që po.
Jetojmë në një shoqëri ku ka degraduar i gjithë sistemi i vlerave, ku i mençuri bëhet për psikolog dhe budallai reklamohet si i ditur. Mosndëshkimi i kësaj elite politikano-korruptuarish që vijnë në pushtet duke blerë, shitur e vjedhur vota dhe duke bërë pazarllëqe është shkaku kryesor i mjerimit që shtyn të babain të lërë pas fëmijën apo i biri të lërë pas prindërit.
Sot jetojmë në një vend ku depresioni masiv ka përfshirë vendin, ku shpresat vriten sepse as arsimimi nuk të shpëton nga varfëria dhe mjerimi. Statistikat thonë se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.
Pabarazia sociale sa vjen e thellohet, i ka dhënë jetë indoktrinimit të qytetarëve me ideologji të mbrapshta. Jemi kthyer në një shoqëri ku dukja, makina e mirë, iphone i fundit është kthyer në matësin se sa vlen si njeri. Shqiptarët ende kanë ëndrrën e viteve ’90 pasi për ta, mënyra e vetme për të mbijetuar është largimi.