Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Shijakut, Rezeart Tushe, për të cilin PS kërkoi çregjistrimin pasi është dënuar në Zvicër, iu përgjigj selisë rozë duke thënë se nuk ka asnjë dënim ndaj tij.
Sipas Tushes, ai në 1997 vetëm ka shkelur lejen e qëndrimit në Zvicër dhe këtë fakt e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.
“Siç mund ta keni parë mediat pranë pushtetit kanë nisur kundër meje një seri sulmesh, prej frikës së humbjes dhe duan të fitojnë në tavolinë. Ata e dinë se çfarë i pret në Shijak. Kam një kundërvatje në Zvicër për shkelje të leje së qëndrimit. Këtë e kam thënë edhe në vitin 2021. Prokuroria e Përgjithshme atëherë më kontrolloi dhe unë mora dritën jeshile të kandidimit. E kanë kot, do më kenë përballë më 14 maj”, tha Tusha.
Ky reagim vjen pasi një ditë më parë Partisë Socialiste i kërkoi kryekomisionerit Ilirjan Celibashi që të çregjistrojë Tushen, pasi sipas tyre ligji ia ndalon kandidimin.