Prokuroria e Tiranës ka publikuar ditën e sotme akt-ekspertizën e cila ka përcaktuar edhe vdekjen e Lear Kurtit. Ky i fundit ndërroi jetë vetëm disa minuta pasi u shoqërua nga uniformat blu në Komisariatin numër 3.
Akt ekspertiza ka dalë në konkluzionin se Lear Kurti nga vdekur si pasojë e mbidozës. Sipas akt-ekspertizës, mbidoza e kokainës i shkaktoi Lear Kurtit ishemi dhe ndalim zemre. Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i ka bërë thirrje 32-vjeçarit Lear Kurtit, për të ndaluar, por ky i fundit nuk është bindur dhe është larguar me vrap.
Akt-ekspertiza:
“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike:
Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent.
Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”.