Prokuroria e Elbasanit ka shpallur mos kompetencë për dosjen e grupit të Laret Haxhiut, duke ia kaluar SPAK-ut. Prokuroria e Elbasanit e ka marrë këtë vendim me argumentin se kjo çështje ka të bëjë me një grup të strukturuar kriminal çka përbën kompetencë e Prokurorisë së Posaçme.
Dosja e grupit të Laert Haxhiut ka të bëjë me rreth 18 krime të kryera në kohë të ndryshme, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi. Krimet e bandës së Laert Haxhiut u zbardhën pas rrëfimeve të bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.
Tafani pasi u kap për një grabitje të një pike të këmbimit valutor në Tiranë ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësisë. Ai ka rrëfyer për 18 krime, ku mes tyre përfshihen 6 vrasje si edhe 5 atentate. Ndërkohë, 4 pjesëtarë janë ende në kërkim, ndërsa vetë Laert Haxhiu ndodhet i burgosur në Greqi, ku Apeli dy ditë më parë i hapi rrugë ekstradimit të tij drejt Tiranës.