Tregtimi i produkteve të falsifikuara apo imitime të markave të ndryshme do të dënohen me ligj tani e tutje.
Projektligj ‘Për Markat Tregtare’ i hedhur për konsultim Publik nga Ministria e Financave, përpos synimit të përafrimit të legjislacionit me BE, ka si qëllim të ndalojë tregtimin e produkteve të falsifikuara, dhe parashikon padi për falsifikatorët dhe bllokim të mallit që kanë nxjerrë në treg. Përshembull, nuk do të lejohet tregtim i veshjeve që janë imitim i firmave me emër, dhe jo vetëm.
Në relacion thuhet se në tregun vendas ka persona të ndryshëm që po dëmtojnë konkurrencën dhe cenojnë interesat e konsumatorëve, duke tregtuar imitime të markave.
Këto përpjekje negative përveçse dëmtojnë interesat ekonomike të pronarëve të markave me reputacion në treg, ato dëmtojnë dhe deformojnë gjithashtu tregun dhe interesat e konsumatorëve”, thuhet në relacion.
Në këtë projektligj ju njihet e drejta pronarëve të markave të ngrenë padi në gjykatë ndaj tregtarëve që abuzojnë, si dhe të kërkojnë dëmshpërblim për dëmin që ju është shkaktuar.
“Projektligji i kushton një rëndësi të veçantë masave për mbrojtjen e markave dhe të drejtave të pronarëve të markave nga cenimet që u bëhen atyre nga spekulatorë dhe manipulatorë të tregut. Në këtë aspekt, projektligji parashikon të drejtën e pronarëve të markave që cenohen nga veprime shkelëse të ngrenë padi, të paraqesin prova dhe t’i sigurojnë këto, të kërkojnë marrjen e masave të përkohshme për parandalimin e një shkeljeje, nxjerrjen jashtë qarkullimit, konfiskimin dhe vënien nën kontroll të mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e markave të regjistruara më parë dhe kështu me radhë”, thuhet në relacion.
Në rastet kur gjykata vendos në favor të markave, kërkohet edhe dëmshpërblim i tyre nga abuzuesi. Konkretisht në nenin 134 të këtij projektligji është parashikuar edhe dëmshpërblimi i pronarëve të markave nga shkelësit, dhe dëmi do të përllogaritet duke marrë në konsideratë, dëmin efektiv dhe atë real, fitimin e munguar të pagës së dëmtuar për shkak të përfitimit të padrejtë të shkelësit, si dhe vlerësohet edhe dëmi moral, cenimi i emrit apo dëmi reputacional tregtar.
“Me kërkesë të palë së dëmtuar, gjykata urdhëron shkelësin që është përfshirë në veprimtari shkelëse të paguajë shpërblimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e shkeljes së të drejtave të markës tregtare. Në përllogaritjen e masës së shpërblimit të dëmit, gjykata mban parasysh çdo dëm efektiv dhe real, duke përfshirë fitimin e munguar të palës së dëmtuar, çdo përfitim të padrejtë të realizuar nga shkelësi dhe, sipas rastit, dëmin moral që i është shaktuar palës së dëmtuar nga shkelja, cënimi i emrit dhe reputacionit tregtar, etj”, thuhet në nenin 134 të projektligjit.