Veç dekoratave, qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj të ri që do të rregullojë edhe titujt e nderit kombëtare dhe vendor. Sipas kësaj nisme, parashikohet ndarje dhe dallim mes “titujve të nderit” nga “dekoratat”, të cilat janë propozuar të rregullohen nëpërmjet një projektligji tjetër, që i është propozuar Kuvendit për shqyrtim në muajin korrik.
Sipas relacionit, kjo nismë diferencuese ndërmerret duke mbajtur në konsideratë rregullimet ligjore të kësaj fushe të vendeve evropiane, kryesisht modelin italian dhe francez dhe kanë të bëjnë edhe me ripërcaktimin e rregullave dhe të procedurës përkatëse për dhënien e titujve të nderit. Ndryshe nga ligji në fuqi, ky projektligj parashikon se dhënia e titullit të nderit apo titullit vendor të nderit nuk shoqërohet me shpërblim financiar. Ligji në fuqi, i vitit 2013, parashikon se se dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit mund shoqërohet me një shpërblim financiar, sipas vlerësimit të autoritetit përgjegjës.
Projektligji parashikon dy llojet të titujve të nderit në nivel kombëtar: titulli Ambasador i kombit, i cili i jepet shtetasve shqiptarë ose pjesëtarëve të diasporës, në shenjë mirënjohje për veprimtari, kontribute dhe merita të spikatura e të qëndrueshme, që lartësojnë vlerën dhe figurën e kombit shqiptar; si dhe titulli Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë, i cili i jepet shtetasve të huaj në shenjë mirënjohje për veprimtari, kontribute dhe merita të spikatura në shërbim të kombit e shtetit shqiptar dhe të forcimit të shoqërisë demokratike, brenda dhe jashtë vendit.
Në nivel vendor, titulli i parashikuar me ligj është vetëm Qytetar nderi, i cili jepet nga këshilli bashkiak për veprimtari të shquar brenda juridiksionit dhe në dobi të bashkisë ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit të bashkisë. Sipas projektligjit, ky titull nderi i jepet në çdo rast edhe personaliteteve të huaja të nivelit të lartë që vizitojnë një bashki në kuadër të një vizite zyrtare ose shtetërore.
Krahas tij, projektligji parashikon mundësinë e Bashkive për të krijuar tituj të vecantë vendorë nderi (jo më shumë se dy në një vit kalendarik), për të shprehur mirënjohjen e posaçme për veprimtarinë e shquar në dobi të komunitetit të saj.
Në të njëjtën linjë, me qëllimin për të moslejuar krjimin dhe dhënien në mënyrë të pajustifikuar të këtyre titujve, parashikohet se në vendimin e krijimit, Njësia vendore duhet të argumentojë nevojën për nderimin e veçantë, arsyen përse nderimi me titullin qytetar nderi, nuk është i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm dhe emërtesën e titullit të veçantë vendor të nderit i cili përkon me një datë ose ngjarje të shënuar në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Për titujt kombëtarë, nisma për dhënien e titujve të nderit i përket Presidentit të Republikës, i cili e ushtron kryesisht, ose me propozim të Kryetarit të Kuvendit, ose Kryeministrit. Ndërsa në rastin e titujve vendorë e drejta e propozimit i përket kryetarit të bashkisë, si dhe çdo anëtari të këshillit bashkiak. Projektligji parashikon, ndryshe nga ligji ekzistues, edhe mundësinë e kërkesës për ushtrimin e propozimit, që mund të paraqitet nga qytetarët drejtuar institucioneve, në favor të një personi të tretë treti./monitor.al