Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin Lazer Sallaku. Gjyqtarit të Tiranës i janë konstatuar probleme me pasurinë dhe nuk e ka kaluar shkallën e parë të vettingut.
Vendimi u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian, e ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Ai ka të drejtë që të anikomojë vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të KPK. Lazer Sallaku ka punuar si avokat përpara se të niste karrierën në sistemin e drejtësisë, si inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2007. Ai u emërua gjyqtar në vitin 2010 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2013, Sallaku punon si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Ai ka qenë gjyqtari që ka mbyllur disa nga dosjet e bujshme, si dosjen CEZ apo edhe rigjykimin për vrasjen e Azem Hajdarit.