Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi sot qeverinë teknike ku për herë të parë kryeministër do të jetë shqiptari, Talat Xhaferi. Mandati i tij do të jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij organi ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është mbledhur në seancë për të debatuar mbi programin dhe kabinetin e Xhaferit dhe qeveria teknike u zgjodh me 65 vota pro dhe 3 vota kundër. Teksa ka vlerësuar me fjalët më të mira kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, Xhaferi tha se sot janë dëshmitarë të një dite historike për shqiptarët.
‘Puna e qeverisë do të zbatohet në këto parime: respektimi i plotë i Kushtetutës dhe ligjeve të Maqedonisë së Veriut, përgatitja dhe zbatimi i suksesshëm i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale, të lira dhe konkurruese në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian. Mbajtjen e shkallës së lartë të dialogut, transparencës dhe llogaridhënies. Mbajtja e avancimit të lidhjeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, aleancën e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe zbatimin e plotë të parimeve dhe vendimeve të marrëveshjeve të rëndësishme për marrëdhëniet ndëretnike, kohezionin dhe stabilitetin e brendshëm dhe integrimin, e suksesshëm euroatlantik”, ka thënë Xhaferi
Talat Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit. Partia shqiptare në koalicionin qeverisës BDI ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zv.ministrave për qeverinë teknike. Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE do të jetë e pranishme në sallën e Kuvendit, por paralajmëroi se nuk do të votojë për Qeverinë teknike.
Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike pas marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulimet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.