Duket se orët e Armando Brojës janë të numëruara. E ardhmja e sulmuesit shqiptar ka qenë shpesh në pikëpyetje gjatë kësaj merkato janari. Shumë skuadra janë vënë në gjurmët e tij, ndërsa së fundmi, Chelsea i ka dhuruar topin e debutimit me “Blutë e Londrës” në elitën e futbollit anglez. Pas katër vitesh, Broja do marrë në shtëpi këtë çmim individual, për të rritur kështu dyshimet e një largimit të Brojës nga Chelsea.
Duke iu referuar mediave britanike, së fundmi, “Blutë” kanë refuzuar një ofertë për Brojën, pasi distanca e kërkuar prej tyre qëndronte në 10 milionë euro. Bëhet fjalë për Fulham. Skuadra londineze synonte ta merrte në huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit, por oferta ishte shumë e vogël në krahasim me atë që kërkon Chelsea.
Por për 22-vjeçarin ka interes të lartë edhe nga skuadra të tjera në Premier League. Uolves mbetet kandidat potencial për të firmosur me Brojën, teksa në gjurmët e tij prej kohësh gjendet edhe West Ham. Në 38 ndeshje me Chelsea, Broja ka shënuar tre gola, një prej të cilëve në këtë sezon.