Presidenti gjerman përshëndeti të enjten qëndrimin pro-evropian të Shqipërisë dhe u kërkoi autoriteteve të saj të vazhdojnë reformat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Frank-Walter Steinmeier po viziton Shqipërinë për të biseduar me zyrtarët e saj të lartë mbi negociatat e anëtarësimit në BE dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ju lutemi të vazhdoni punën e mëtejshme në luftën kundër të gjitha pengesave, në përballimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, vazhdoni reformën në drejtësi dhe opozita dhe qeveria duhet të punojnë përtej betejave politike drejt destinacionit të përbashkët të anëtarësimit në BE”, tha Steinmeier në fjalimin e tij në parlament, duke shtuar se, “Ia vlen”.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut fqinje, të cilën Steinmeier e vizitoi në fillim të kësaj jave, filluan bisedimet e anëtarësimit me BE në korrik, në një proces që pritet të zgjasë vite.
Bashkëpunimi rajonal ishte rruga më e mirë drejt integrimit më të shpejtë në bllok, tha Steinmeier.
Muajin e kaluar në një takim në Berlin, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Serbia, Kosova, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – nënshkruan marrëveshje për lehtësimin e aranzhimeve rajonale të udhëtimit dhe njohjen reciproke të kualifikimeve akademike si pjesë e asaj që njihet si “procesi i Berlinit”.
“Ju lutemi, jini këmbëngulës dhe vazhdoni një rrugë të tillë derisa të përmbyllet me sukses me anëtarësimin në BE”, tha Steinmeier. “Zemra juaj rreh për Evropën. Ju jetoni në një mënyrë evropiane dhe ne do t’ju ndihmojmë të kapërceni pengesat në këtë rrugë drejt BE-së.”
Gjermania ka qenë mbështetësi kryesor i Shqipërisë postkomuniste. Është partneri i katërt më i madh tregtar i vendit. Në Gjermani jetojnë rreth 70 mijë shqiptarë.