Më datat 18 dhe 19 shtator po mbahet në Nju Jork, Forumi i Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i njohur si Samiti për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku marrin pjesë kryetarët e shteteve/qeverive të vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj u shpreh se:
‘‘Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti. Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje e përbashkët që përfshin institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile. Këto objektiva janë një hartë universale, që udhëheq vizionin tonë për të ardhmen”, tha Begaj.