Fëmijët e lindur si rezultat i përdhunimit do të klasifikohen zyrtarisht si viktima të krimit. Anglia dhe Uellsi mendohet të jenë ndër vendet e para në botë që shtrijnë përkufizimin ligjor të një viktime për të përfshirë edhe njerëzit e lindur nga përdhunimi.
Studimi nga akademikët për Qendrën për Drejtësi të Grave (CËJ) vlerësoi se më shumë se 3,000 fëmijë mund të ishin ngjizur nëpërmjet përdhunimit në të dy kombet në vitin 2021.
Ndryshimet do ta bëjnë të qartë se fëmijët e ngjizur nga përdhunimi kanë të drejtë të kenë informacion rreth rastit të tyre dhe të marrin mbështetje nga gjykatat, policia dhe organizma të tjerë në sistemin e drejtësisë penale.
Ministri i Drejtësisë Dominik Raab tha se kjo është një mbështetje për ta.
‘Asnjë fëmijë i lindur në këto rrethana të tmerrshme nuk duhet lënë të vuajë vetëm, prandaj duhet të sigurohemi që ata të kenë mbështetje jetësore sa herë që mund të kenë nevojë për të. Projektligji për Viktimat tona do të shtojë zërat e tyre dhe do të rritë mbështetjen për të gjitha viktimat në çdo fazë të sistemit të drejtësisë”, tha ai.
Një grua e njohur si Daisy, e cila sipas CWJ ka lindur si rezultat i një përdhunimi në vitet 1970. Babai i saj i vërtetë u soll para drejtësisë në vitin 2021 dhe ky rast shërbeu për ndryshimin ‘historik’.
Kate Ellis, përfaqësuesja ligjore e gruas në CWJ, tha se fushata e saj kishte qenë ‘e jashtëzakonshme’, duke shtuar: ‘E motivuar nga përvojat e saj, ajo ka vënë në lëvizje një bisedë jetike rreth dëmeve të fshehura të pësuara nga fëmijët që lindin si pasojë e një krimi seksual.
‘Shpresojmë se ky ndryshim në ligj jo vetëm që do të sigurojë mbështetje për njerëzit e lindur nga përdhunimi që kontaktojnë policinë – por gjithashtu do t’u mundësojë atyre të luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e një hetimi policor.
‘Ndonjëherë, si në rastin e Dejzit, një fëmijë që është ngjizur nga përdhunimi mund të sigurojë madje një lidhje vendimtare ADN-je që bën të mundur që autori i krimit të dënohet, kështu që është jashtëzakonisht e rëndësishme që ata të mbështeten plotësisht për t’u angazhuar në një hetim policor.’