Polonia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i dëmshpërblimeve të Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania, tha kryeministri Mateusz Morawiecki.
Në një intervistë për Radio Polonia, ai tha se do të ishte pozitive të rregullohej ajo që ndodhi gjatë luftës duke njohur dëmshpërblimet të paktën në një masë minimale, transmeton Anadolia.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me fjalët e ambasadorit gjerman në Poloni, Thomas Bagger, për dëmshpërblimet e luftës, Morawiecki tha se ambasadori ka bërë një gabim moral dhe politik.
Bagger tha të mërkurën se çështja e reparacioneve gjermane ndaj Polonisë është “kutia e Pandorës dhe do të ishte më mirë që kjo kuti të lihej e paprekur”.
Morawiecki tha se do të jetë një proces i gjatë, por ai premtoi se nuk do të dorëzohet kurrë.
Kryeministri polak tha se beson se edhe brezi i ardhshëm i politikanëve do të insistojë në kërkesën për dëmshpërblime.
Shtatorin e kaluar, Varshava paraqiti një raport gjithëpërfshirës që detajonte humbjet materiale që vendi pësoi gjatë luftës, së bashku me një premtim për të kërkuar 1.3 trilion euro dëmshpërblime nga Gjermania.