Policia e Shtetit nuk ka shoqëruar apo arrestuar asnjë person lidhur me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit luftarak, dje në Fushë-Kuqe në banesat e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt. Mësohet se armët e municionet u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj.
Burimet bëjnë me dije se dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin prezent, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Burimet shprehen se urdhri është dhënë për kontrolle të befasishme, dhe se është kompetencë e Policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura.