Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të lëndëve narkotike i dedikuar për prodhimin, ruajtjen dhe transportin e ngarkesave të mëdha të kokainës, u godit nga policia peruane. Një shqiptar dhe një italian përfunduan në pranga, për ngarkesën prej 2.3 tonë kokainë.
Mediat vendase bëjnë me dije se është arrestuar shqiptari Kadri Gjoci, 28-vjeç, i konsideruar si një nga “kokat” e grupit të trafikut, ndërsa lënda narkotike kishte destinacion Italinë dhe Gjermaninë. Kokaina e cilësisë maksimale rezulton e prodhuar në Peru.
Ajo ishte e ndarë në 2300 pako, 1 kg secila. Përveç shqiptarit, në pranga përfundoi edhe biznesmeni italian, Pasquale Bifulco, 49 vjeç, i lidhur me organizatën mafioze “Ndragheta”, si dhe tre persona të tjerë nga Peruja.
DËRGESAT E KOKAINËS
Operacioni për sekuestrimin e sasisë së madhe të kokainës u kodua “Poseidon”, sepse është vazhdimi i atij të kryer në Máncora, më 29 gusht, ku u arrestuan pesë persona me një sasi prej 448 kilogramë hidroklorur kokaine.
Për sekuestrimin e ngarkesës së konsiderueshme të drogës, në hetime është përfshirë edhe DEA amerikane, Policia Federale e Hetimit KriminalBKA e Gjermanisë dhe Policia italiane. Ngarkesat e drogës u nisën nga zona e Alto Huallaga për në kryeqytetin Lima dhe Tumbes për në portin Callao, në mënyrë që të transportohej përmes detit për në Evropë nëpërmjet një kompanie eksporti mallrash.
Pasi hetuesit kuptuan për se organizata kriminale dërgonte ngarkesa të konsiderueshme droge drejt Italisë dhe Hamburgut (Gjermani), ata vazhduan me çmontimin e këtij rrjeti që drejtohej në vend nga italiani Pasquale Bifulco. Mediat vendase bëjnë me dije se sasia prej 2.3 tonë kokainë kishte mbërritur tashmë në Evropë.
KOKAINA NË ASPARAGUS
Pas sekuestrimit të ngarkesës prej 2300 kilogramë lënda narkotike kokainë, autoritetet po hetojnë nëse ky rrjet ka lidhje me mafien shqiptare, e cila gjatë muajit qershor tentoi të dërgonte në Holandë 2200 kilogramë kokainë të lëngshme e kamufluar brenda kutive me asparag të kamufluar.
Në atë kohë, autoritetet peruane shpallën në kërkim dy shtetas shqiptarë, përkatësisht Franc Malo dhe Gentjan Meta, të cilat hynë në Peru ilegalisht përmes Huaquillas, në kufi me Ekuadorin në nëntor 2021. Mediat vendase shkruanin në atë kohë që droga kishte destinacion Roterdamin në Holandë, ndërsa dy shqiptarët ishin përfshirë edhe më herët në trafikun e narkotikëve.
Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në Ekuador dhe Kolumbi është bërë më e fortë në dekadën e fundit. Këto organizata kriminale përfitojnë nga eksportet e frutave dhe produkteve të tjera bujqësore në Evropë, për të maskuar dhe transportuar kokainën në sasi të mëdha.
Megjithatë, episodet e fundit të dhunës midis organizatave kriminale shqiptare dhe organizatave të tjera kolumbiane dhe meksikane në territorin ekuadorian, i kanë inkurajuar të parat të eksplorojnë territorin peruan, sepse prodhimi i kokainës në vend është rritur dhe ka një furnizim më të madh.