Policia e Shtetit ka vijuar edhe gjatë të dielës operacionin mbarëkombëtar “Fijet” për heqjen e kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të jashtëligjshme.
Gjatë kësaj faze, policia çmontoi në qytetin e Fierit dhe Lushnjës, 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, janë 5 shtetas, nga këta, 2 shtetas në Fier dhe 3 shtetas në Lushnjë.
Këta të fundit, i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.
“Strukturat hetimore të DVP Fier, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, konkretisht në disa lagje të qyteteve Fier e Lushnjë, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit”, sqaron policia.