Policia e Shtetit i ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të Apple të kenë kujdes me mesazhet që iu vijnë në telefon.
Sipas policisë, nga monitorimi i vazhdueshëm i hapësirave virtuale, në rrjete sociale, me qëllim janë konstatuar se në mënyrë të përsëritur, përdoruesve u dërgohen me iMessage, mesazhe nga adresa ndryshme iCloud.
“Personave marrës të këtyre mesazheve, iu premtohen të ardhura të konsiderueshme në valuta të huaja, duke pasur si kriter vetëm përdorimin e aparatit të tyre celular, dhe personat e interesuar (autorët), i ftojnë të komunikojnë nëpërmjet aplikacionit “Telegram”.
Duke marrë në konsideratë se ky aktivitet, dinamika e të cilit nuk është ende e qartë plotesisht, nëpërmjet joshjes financiare, mund të marrë në posedim të dhënat personale të shtetasve shqiptarë, ju informojmë të bëni kujdes me të dhënat tuaja.
Nqs ju ka ardhur një mesazh i tillë, dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale, apo jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave tona si dhe zyrave policore të Krimeve Kompjuterike dhe Kibernetike në Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kompjuterike e Kibernetike në DPPSH”, thuhet në njoftim.