Nuk besoj se u kishte shkuar ndonjëherë në mend se në trashëgiminë që ka lënë pas Sokol Olldashi fshihen disa poezi kuptimplota. Ky talent i heshur i politikanit jetëshkurtër tregon shumë edhe për natyrën e tij, botën e madhe që kishte brenda vetes të mbështjellë me copëza menalkolie.
Pas ikjes së tij nga kjo jetë Olldashi na la si testament me krijime origjinale, librin e tij “Unë dhe Unë”.
NATYRË E QETË
Mbi tryezë
një shishe rumi,
një kuti cigaresh
dhe…
“ Tre shokët”
i hapur në faqen e fundit…
apo:
VETËM SHPIRTIN KAM…
Vetëm shpirtin kam…
Merre, ta fal!
Si shkëmbim,
vetëm një puthje
ta fus në akuariumin e formalinës
prej nga shpirtin nxorre
e, para se të vdes
të ta kthej sërish.
Mbaje shpirtin përjetësisht.
——-
Maj,1993
apo:
TË DIELËN
Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dal dielli ende në ndajnatë.
S’do ta zgjoj, jo, rojen syfjetur,
Qetësisht do mbyll portën prapë.
Do eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash, të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do të gjej të ngul kryqin
Në dheun nga shirat bërë llohë.
Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiri do ta ndez,
Do ta fsheh paketën nën plis
Ta pi ngeshëm, pasi të vdes
E të ik….
apo:
UNË DHE UNË
Një hije varet tek unë
me thonjtë e gjaktë
ngulur në venat bosh.
Unë varem pas një hijeje
me dhëmbët e mij të helmët
sytë i nxjerr.
Kafshojmë njeri-tjetrin
unë dhe hija,
vritemi hija dhe un.
Vdesim, unë dhe Unë.
Janë katër poezi, ku autori relfekton mbi jetën, veten dhe rrethanshmërinë, çuditërisht larg dogmave dhe filozofive politike
Pak nga jeta e Sokol Olldashit
Sokol Olldashi ishte një ndër politikanët më të spikatur jo vetëm të Partisë Demokratike, por i gjithë klasës politike. Ai u përfshi me lëvizjen e dhjetorit në vitin ’90, ku që në atë kohë ai u bë anëtar i Partisë Demokratike si dhe anëtar i mbledhjes themeluese të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qenë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan. Nga Maji i vitit 2002 deri më Shtator të 2007-ës, Olldashi mbajti postin e Kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në vijim, nga muaji maj 2005-Maj 2009 ai ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës si dhe anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002. Gjithashtu nga qershori i vitit 2001, Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një herë përfaqësues i qarkut të Durrësit dhe në dy legjislaturat e fundit përfaqësues i qarkut të Fierit.
Gjatë karrierës së tij politike, Olldashi ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm, gjatë drejtimit të së cilës ai shënoi suksese të rëndësishme në luftën kundër bandave më të rrezikshme kriminale. Ai ka mbajtur gjithashtu postin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, duke shndërruar infrastrukturën rrugore së Shqipërisë në një infrastrukturë me standarde europiane. Ai do të mbahet mend si i pari zyrtar i lartë i PD që dhe në zhvillimin më të fundit politik në Shqipëri la vulën e tij, teksa bëri thirrje për protesta masive kundër armëve kimike siriane që të mos vinin në Shqipëri.