Shërbimet e Komisariatit numër 2 në Tiranë kanë arrestuar dy punëtorët dhe inxhinierin e pallatit të kompanisë Arlis sh.p.k. për rrëzimin e skelës ku të plagosur mbetën dy kalimtarë. Elton Osmanllari, Erjon Kanto dhe Zef Kala dyshohen se kanë shkelur rregullat e mbrojtjes në punë.
Dy punëtorët kanë qenë në skelë duke punuar kur ju kanë rënë nga duart shufrat metalike dhe elementë të tjerë ndërtimi që ndikuan në rrëzimin e skelës. Ndërsa inxhinieri akuzohet se nuk ka ndjekur punimet dhe nuk ka monitoruar masat për mbrojtjen në punë.
Të plagosur nga kjo ngjarje mbetën babë e bijë Hysen Lavdari 70 vjeç dhe Imelda Shkëmbi 45 vjeçe. 70-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve në kokë, ndërsa 45-vjeçarja paraqitet në gjendje të stabilizuar. Pallati që po ndërtohet është buzë vendkalimit për këmbësorët dhe për mbrojtjen e tyre nuk është vendosur asnjë perimetër sigurie apo struktura që pengojnë rënien e sendeve të forta nga lartësia.