Kina nisi tre ditë manovra ushtarake rreth Tajvanit të shtunën me qëllim frikësimin e autoriteteve të saj, menjëherë pasi një takim midis presidentit të ishullit dhe një zyrtari të lartë amerikan, zemëroi Pekinin.
Për të sqaruar rrethanat e këtij operacioni, të cilin Kina e quajti “Shpata e Përbashkët”, revista franceze L’Obs shtron pesë pyetjet e mëposhtme:
1. Çfarë po ndodh rreth Tajvanit?
Zëdhënësi ushtarak kinez Shi Yi paralajmëroi se Kina ka vendosur anije, avionë luftarakë dhe raketa në të gjitha zonat përreth Tajvanit për të dërguar një paralajmërim serioz për këdo që kërkon pavarësinë e ishullit.
Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, manovrat përfshijnë patrullimin dhe “simulimin e goditjeve të përbashkëta me saktësi mbi objektivat kryesore” në një përpjekje për të “krijuar një parandalim dhe rrethim të plotë” të Tajvanit.
Për operacionin u mobilizuan dhjetëra avionë luftarakë J-18 dhe J-10C, së bashku me avionë anti-nëndetëse.
Gazeta kineze Global Times raportoi se Pekini ka vendosur gjithashtu sisteme lëshimi të raketave PHL-191 dhe raketa kundër anijeve me bazë tokësore YJ-12B.
2. Pse Kina filloi një shfaqje të tillë force?
Që nga fundi i Luftës Civile Kineze në vitin 1949, Kina e ka konsideruar Tajvanin (23 milionë banorë) një provincë renegate që nuk ka arritur ende ta ribashkojë me pjesën tjetër të territorit të saj.
Pekini kundërshton çdo kontakt zyrtar midis Taipeit dhe qeverive të huaja në përputhje me parimin “një Kinë”.
Kjo përfshin një takim në Kaliforni të mërkurën midis udhëheqësit tajvanez Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy, pas të cilit Pekini u zotua të përgjigjet me masa “të forta dhe të ashpra”.
Ja Ian Chung, një profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singaporit, i tha AFP se manovrat ushtarake të Kinës ishin pjesë e një fushate më të gjerë për të “vënë nën presion Tajvanin”.
Ai beson se këto takime “të nivelit të lartë” lejojnë Pekinin të “fajësojë Taipein, Uashingtonin ose të dyja”.
3. Pse Kina zgjodhi këtë fundjavë për të filluar stërvitjet ushtarake?
Kina ka pritur që Tsai Ing-wen të kthehet në Tajvan për të filluar stërvitjet ushtarake “Shpata e Përbashkët”.
James Char, një ekspert ushtarak kinez në Universitetin Teknologjik Nanyang në Singapor, vuri në dukje se Pekini po priste përfundimin e vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron për të filluar stërvitjet ushtarake.
Ai beson se Kina po përpiqet të “ngrohë” marrëdhëniet e saj me Evropën, por një operacion ushtarak kundër Tajvanit do ta “dëmtonte atë hapje diplomatike”.
4. Çfarë masash të tjera ka marrë Pekini?
Në përgjigje të vizitës së Tsai Ing-wen, Pekini njoftoi se do të ndalonte ambasadoren de facto të Taipeit në Shtetet e Bashkuara, Hsiao Bi-Khim, të hynte në Kinë dhe e akuzoi atë për “nxitjen e qëllimshme të konfrontimit” në ngushticën e Tajvanit.
Qendra Kërkimore e Institutit Hudson, me qendër në Uashington, si dhe Biblioteka Presidenciale Ronald Reagan, u hoqën nga të drejtat e tyre për të bërë biznes me entitetet kineze.
5. Cilat janë ndryshimet në krahasim me përshkallëzimin e mëparshëm të tensionit?
Këto ushtrime të kujtojnë atë që u ndërmor në gusht 2022 në përgjigje të mbërritjes në ishull të kryetares së atëhershme demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, e cila u pasua në detyrë nga McCarthy.
Pekini kreu ushtrime shënjestrimi dhjetëra kilometra larg brigjeve të Tajvanit, gjatë një fushate të ngjashme njëjavore për të rrethuar ishullin.
Autoritetet kineze kanë pezulluar gjithashtu importin e frutave dhe peshkut nga ishulli.
Kësaj radhe, Kina njoftoi ushtrime zjarri pranë bregut të Fujian (në lindje), një provincë përballë Tajvanit.
Megjithatë, “Shpata e Përbashkët” nuk duket të jetë në të njëjtin nivel me atë që pamë gjatë vizitës së Nancy Pelosi,” thotë Manoj Kewalramani, një ekspert i Kinës në Institutin Takshashila në Bangalore.
Ai ia atribuon këtë simbolikës së veçantë të vizitës së ish-zyrtarit amerikan në Tajvan, të cilin Pekini e konsideron si pjesë të territorit të tij.