Gjermanisë do t’i mungojnë pesë milionë punëtorë deri në vitin 2060, sipas një studimi të Institutit për Kërkime të Punës (IAB) të raportuar nga mediat gjermane.
“Studimi tregon se punëdhënësit do të kenë shumë më pak punëtorë në dispozicion në vitet në vijim”, tha Enzo Weber nga IAB, një institut që operon brenda Agjencisë Federale të Punësimit në Nuremberg.
Deri në vitin 2060, numri i punëtorëve në tregun e punës do të ulet me 11.7 për qind nga 45.7 aktualisht në 40.4 milionë.
Në të njëjtën kohë, këto vlerësime marrin parasysh përqindjen në rritje të të moshuarve dhe grave që hyjnë në tregun e punës, si dhe masat që duhet të inkurajojnë imigrimin e fuqisë punëtore.
“Nëse duam të bëjmë diçka kundër këtij trendi, atëherë duhet të përshpejtojmë më tej masat si integrimi i të moshuarve dhe grave në tregun e punës, si dhe emigracioni”, tha Weber.
Ai tha se në të ardhmen, me rastin e imigrimit të fuqisë punëtore, e cila aktualisht vjen kryesisht nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, do të jetë e nevojshme të mbështetemi tek punëtorët jashtë BE-së.
Ligji i ri i qeverisë së koalicionit, i cili duhet të lehtësojë emigracionin nga vendet jashtë BE-së, është aktualisht në procedurë parlamentare.
Por kjo, sipas mendimit të ekonomistëve nga IAB, nuk do të mjaftojë.
“Duhet të rrisim lindshmërinë dhe për këtë duhet të krijojmë kushte sociale që do të lehtësojnë harmoninë mes familjes dhe jetës së punës. Këtu përfshihen faktorë të tillë si orari fleksibël i punës si dhe sigurimi i një numri të mjaftueshëm vendesh në kopshte”, përfundoi Weber.