Arben Lleshi, i dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, ka mbetur i vdekur pas konfliktit me dy të dënuarit e tjerë, Indrit Shaqja dhe Sokol Mjacaj.
Lleshi dhe dy të dënuarit e tjerë janë konfliktuar gjatë ajrimit. Ka qenë Mjacaj i cili ka qëlluar me armë ndaj dy të burgosurve të tjerë. Motivi nuk dihet ende. Arben Lleshi dyshohet se ka ndërruar jetë në spital për shkak të plagëve të marra. Ndërsa Indrit Shaqja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Arma që u përdor gjatë konfliktit dyshohet të jetë futur në ambientiet e IEVP Peqin me anë të një droni. Nga të dhënat paraprake, ka dyshime që Sokol Mjacaj të jetë paguar për të vrarë Arben Lleshin.
Sokol Mjacaj
Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas më 5 korrik 2015.
Indrit Shaqja
I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre. Përveç tij, me burg të përjë u dënuan edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Shaqja, i ekstraduar nga Spanja, mori përsipër krimin dhe ka thënë se Vilson Elmazi dhe nipi i të moshuarave Artur Kaçanoli nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç.
Arben Lleshi
Ai u dënua për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton. Ngjarja ndodhi më 10 prill 2013 kur Arben Lleshi, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Hoxhën.