Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme 45-vjeçarin Gentian Gega i cili përndiqte online një 23-vjeçar dhe shqetësonte prej disa kohësh edhe familjarët e saj. Sipas njoftimit të policisë, 45-vjeçari i hapte profile false një 23-vjeçareje me përmbajtje denigruese.
‘Finalizohet operacioni policor i koduar “Threat 2”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Përndoqi për një kohë shumë të gjatë një shtetase, duke i hapur asaj profile false në rrjete sociale, me përmbajtje denigruese, dhe duke i sjellë shqetësim asaj dhe familjarëve, pas një hetimi shumë të shpejtë dhe profesional, të specialistëve për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim parandalimin e situatës së krijuar, vihet në pranga 45-vjeçari.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga një 23-vjeçare, se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale, me përmbajtje denigruese, dhe e përndiqte atë online për një kohë të gjatë, duke i sjellë shqetësime asaj dhe familjarëve, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit’, thuhej në njoftimin e policisë.