Moti i keq me shira të dendur tani më është përmirësuar, e për pasojë situata paraqitet në kushte më të mira në zonat problematike ku ka pasur përmbytje.
Në qarkun e Dibrës, rrugët janë të kalueshme, rruga e Arbrit dhe segmenti i Bylasit deri në Murriz kalohet me goma dimërore dhe zinxhirë, rruga Peshkopi – Lure ka patur bllokime, por po punohet për hapjen e saj zonat tjera dhe fshatrat malorë janë të hapura.
Shkodra dhe Lezha vijojnë të jenë qarqet më problematike, ku ende ka sipërfaqe nën pushtetin e ujit. E më konkretisht, sipas të dhënave zyrtare të Emergjencave Civile, sipërfaqja e përmbytur në Lezhë është zvogëluar në 230 hektarë, nga 350 që ishte një ditë më parë. Ndodhen nën ujë 100 hektarë në Fushën e Torovicës të Njësisë Administrative Balldre, 100 hektarë në kënetën Spiten-Tresh të Njësisë Administrative Zejmen dhe 30 hektarë në Fushë-Gjorm të Bashkisë Kurbin.
Deri tani sipërfaqe nën ujë në Shkodër është 1400 ha, ndërsa prezencë uji ka në 15 banesa të fshatit Obot. Rruga e Obotot ka prezencë të ujit 75 cm. Në njësinë administrative Dajç 100 hektar tokë bujqësore është nën ujë.