Askush se di numrin e tyre real, por mund të jenë me qindra hapësira më së shumti dezinformuese se sa ndihmuese për lexuesin në Shqipëri.
Në një anketim të zhvilluar në vitin 2018 nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, ishin pjesëmarrëse 120 media, të spektrit online, njohur gjerësisht si portale.
Këto portale ose mediume të përhapura si dandelione të stinës politike në thelb kanë një qëllim që nuk lidhet me krijimin apo transmetimin e lajmit.
Ato portale janë vetë lajmi. Bashkë me personin që fshihet pas saj/tij.
Që nga figura politike, ish-zyrtarë e deri te biznesmenë që kamuflohen përmes personave të dytë a të tretë.
Ajo që bie në sy gjithsesi, është modeli i biznesit që këto “media” kanë krijuar. 23% e tyre sipas sondazhit, janë pjesë e mediave tradicionale. 39% funksionojnë si biznese më vete. Pjesë e një biznesi tjetër janë 8% e tyre, si OJF janë regjistruar 16%, publike 2% ndërsa të paregjistruara, janë 12%.
Por, përtej këtyre shifrave të larta të mosdeklarimit, 71% pohojnë se përdorin reklamat për fitim.
E, paçka se e bëjnë këtë, vetëm 12% e tyre arrijnë të gjenerojnë të ardhura. Pjesa tjetër mbulojnë shpenzimet ose ndalen në humbje.
Ato mbulohen në pjesën më të madhe nga vetë pronarët e mediave apo biznese të tjera të kompanisë.
Pyetja që ngrihet vetvetiu, është se kush qëndron pas këtyre mediave. Mbi të gjitha, me 19% prej tyre, të cilat i mbulojnë humbjet me burime të pa specifikuara!
Në pjesën më dërrmuese të tyre, bëhet fjalë për biznesmenë të fuqishëm (ndër ta edhe me lidhje të forta politike), të cilët veç lidhje me median nuk kanë. Por, emra të tjerë – shpesh edhe anonimë – rezultojnë pronarë, apo edhe vetë gazetarë me emër.
I tillë ishte rasti i fundit kur një portal gjobë-vënës filloi të qarkullonte lajme provokuese dhe dukshëm të shkruara keq edhe me tendencë.
Pas tij fshihej një ish-zyrtar i lartë dhe një gazetar i kontestuar nga gjysma e kolegëve të tij si keqdashës kundrejt detyrës së tij.
Kjo rokadë opinionesh dhe tellallesh u pasua menjëherë nga një incident i rëndë në selinë kryesore të njërit prej televizioneve më të mëdha kombëtare “Top Channel”.
Fill pas ngjarjes që la të vdekur një person të pafajshëm, portalet nxituan ta lidhnin sulmin me armë me shitjen në hije të rrjetit televiziv me shifra që i kalonin 9 milionë euro.
E për të mos mjaftuar kjo u vërejt se vetë “Top Channel” ndryshoi qasjen e tij ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama me të cilin janë shkëmbyer jo pak akuza në distancë.
Në këtë mesele, gazetari investigativ Artan Hoxha denoncoi dhe tinëzinë e njërit prej portaleve më të ndjekur i cili shfrytëzoi logon për t’ia vendosur kartës ID të viktimës së sulmit ndaj Top Channel, Pal Kola.
Media duhet të ketë një sens të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë e saj ndaj publikut dhe sa më larg epsheve të pronarëve apo personave që nuk kanë asnjë lidhje me lajmin dhe etikën e raportimit.
Në Shqipëri, e keqja ka përfshirë një pushtet që kontrollon atë që brumoset në sytë e ekranit të televizorit apo telefonave dhe pëshpëritet nëpër institucione para se të publikohet.
Lajmi kalon i pari te ata, jo ju. Ju e lexoni të redaktuar, në kohën kur ata duan dhe se si ta duan ata.