Pas kërkesës së vazhdueshme të maturantëve, për herë të parë këtyre të fundit iu është dhënë mundësia që të kërkojnë një rivlerësim të testit.
Nisur nga pretendimet e ngritura për teste të pa hartuara mirë, ku ka pasur jo pak vite ku edhe kanë dalë në protestë, Ministria e Arsimit ka hartuar një rregullore që parashtron të gjitha pikat se kur do të mund të kërkohet rivlerësim dhe hapat që do duhet të ndiqen.
Në rregulloren e botuar në fletoren zyrtare, thuhet se maturantit i lind e drejta që të kërkojë rivlerësim të testit 1 ditë pasi del rezultati i provimit dhe më pas do të jetë Qendra e Shërbimeve Arsimore që të do të kryejë rikorigjimin.
Hapat që do ndiqen
Rivlerësimi i testit 1. Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit, 1 (një) ditë pas shpalljes së rezultateve paraprake të të gjitha provimeve.
- Maturanti/kandidati pasi është pajisur me fotokopjen e testit, ka të drejtë ta paraqesë kërkesën për rivlerësim testi në KSHMSH e shkollës, ku është regjistruar si maturant, më datë 3 korrik.
- Fotokopjet e testeve të paraqitura në KSHMSH shqyrtohen nga dy mësues lëndor të përcaktuar nga KSHMSH-ja (nëse një shkollë nuk ka dy mësues të lëndës shqyrtimi do të bëhet vetëm nga një mësues i lëndës).
- Mësuesit e përcaktuar sipas pikës 3, të këtij neni shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga maturantët/kandidatët vetëm për pyetjet e ankimuara dhe vendosin nëse këto teste do t’i kalojnë për rivlerësim QSHA.
- KSHMSH, kërkesat për rivlerësim të miratuara nga mësuesit lëndor, i përcjell në ZVAP në format elektronik, brenda datës 3 korrik dhe në format shkresor brenda datës 4 korrik.
- KMSH në ZVAP, kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të i përcjell në format elektronik në QSHA brenda datës 3 korrik, si dhe zyrtarisht në format shkresor, brenda datës 5 korrik.
- QSHA-ja kryen procesin e rivlerësimit të testeve, me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke i sekretuar me barkode testet që rivlerësohen.
- QSHA-ja kryen rivlerësimin e të gjithë testit. Pas rivlerësimit, vlerësimi përfundimtar i maturantit mund të jetë: a) me të njëjtin rezultat; b) duke iu ndryshuar rezultati me rritje pikësh; c) duke iu ndryshuar rezultati me ulje pikësh;
- Rezultatet përfundimtare të provimeve të maturës pas procesit të rivlerësimit shpallen jo më vonë se data 7 korrik.