Partia Demokratike ka depozituar të premten e 14 tetorit në Kuvend projektligjin për lustracionin.
Lajmi u bë i ditur nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku në një deklaratë për mediat.
Projektligji i hartuar nga selia blu parashikon hapjen e plotë të dosjeve për çdo qytetar që e kërkon, por edhe largimin nga jeta politike dhe institucioneve publike të atyre që kanë pasur lidhje me Partinë e Punës ose i kanë shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit.
“Synimi i këtij projektligji është që të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë, të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo ish-Sigurimin e Shtetit”, deklaroi Çollaku.
Sipas tij, projektligji i propozuar reflekton standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me legjislacionin për pastërtinë e figurës.