Me vendim të Gjykatës së Tiranës, ish zyrtarja Alda Klosi, do të qëndrojë në burg pa afat, pasi urdhër-ndalimi nga Prokuroria, 3 ditë më pare, u vlerësua si i ligjshëm.
Seanca për Alda Klosin nisi në ambientet e QSUT, ku vijon të jetë e shtruar për shkak të problemeve shëndetësore. Ajo u përfaqësua nga avokati i saj Ilirjan Muho. Për këtë të fundit, dëshmia e sanitares Rozeta Dobi, që përfshin Alda Klosin në një skenar për fshehjen e parave, është tërësisht e pavërtetë.
“Është hera e katërt që ajo pyetet në prokurori dhe sa herë që është pyetur ka dhënë nga një version të ri të ngjarjes. Fillimisht nuk e ka pranuar kryerjen e kësaj vepre, më pas e pyetur pas disa ditësh ka pranuar që e ka kryer këtë vepër së bashku me djalin e saj dhe në deklarimin e datës 3 Shkurt ka pohuar para prokurorit dhe oficerëve të policisë gjyqësore që këto veprime i ka kryer në një marrëveshje të plotë me Alda Klosin. Është një gënjeshtër”, tha avokati.
I pyetur mbi origjinën e parave, Muho tha se 120 mijë eurot Klosi i kishte për kurimin e xhaxhait i cili ndodhet në SHBA dhe është diagnostikuar me tumor. Ai tha se këto para i ka marrë vëllai i Klosit hua nga një person në Shqipëri, të cilët së bashku kanë firmosur edhe një kontratë huadhënie, e vendosur tashmë në dispozicion të Prokurorisë.
Alda Klosi u vu në pranga mbrëmjen e 3 Shkurtit, pas dëshmisë disa orëshe të sanitares së saj Rozeta Dobi, e cila pretendon që prej vitit 2018 në banesat e ish-zyrtares ka parë vlera të mëdha parash që vinin me kuti.